Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 32-të, të Kushtetutës së Kaçanikut, ka thënë se kjo Kushtetutë është gurthemeli i shtetësisë së Kosovës.

Ajo ka potencuar se me të “nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës”.

Sipas Osmanit, delegatët e Kuvendit të Kaçanikut kishin sfiduar me guximin e tyre dhunën dhe represionin serb duke i dalur zot vendit.

“32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kushtetuta e Kaçanikut

Osmani ka theksuar se përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më shtatë shtator të vitit 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur.

“Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre.

Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur”, shtoi presidentja.

Pasi gjatë periudhës së vitete të 90-ta, vendi ishte i mbushur me forca policore dhe ushtarake serbe, shpallja e Kushtetutës së Kosovës është bërë në Kaçanik më 7 shtator të vitit 1990, në një organizim të fshehtë.

Forcat serbe që ishin të pranishme kishin filluar spastrimin e hapur të institucioneve të Kosovës. Fikllimisht, duke i mbyllur këto institucione pastaj duke i larguar punëtorët shqiptarë dhe duke futur masat e dhunshme.

Delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës që kanë shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik 1990, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990.

Që nga viti 1990, data 7 shtator është cilësuar si identitet i fillimit të një historie të re Kosovën.

Për shkak të afërsisë me kufirin e Maqedonisë së Veriut, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik. Po ashtu, mundësia e shpalljes së Kushtetutës në këtë qytet ishte më e lehtë.

Gjatë periudhës së viteve të 90-ta, Kosova ishte e pushtuar nga regjimi serb dhe nga forcat ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë. Pas shpalljes së Kushtetutës, në Kosovë filloi një periudhë më e vështirë që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq mbi popullsinë vendase.