Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e tronditur lidhur me dhunimin seksual ndaj të miturës 11-vjeçare në Prishtinë.

Ajo me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryerësit e veprës.

“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani ka theksuar se dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë.

Prandaj sipas saj, kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë.

“Kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha po ashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve”, shtoi ajo.

Ndërkohë, e para e vendit ka potencuar se nuk duhet lejuar që Kosova të jetë vend i pasigurt për vajza dhe gra.

“Për fat të keq, për vite me rradhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit”.

“Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pesë persona dyshohen se e kanë dhunuar seksualisht një të mitur në komunën e Prishtinës.

Kallxo.com, ka mësuar se viktima është vajzë e mitur e moshës 11-vjeçare.

Sipas mediumit në fjalë, dhunimi ka ndodhur nga ora 17:30 deri në 00:33, kështu viktima ka qenë viktimë e dhunës seksuale për shtatë orë.

Gjykata Themelore e Prishtinës, për Rtv Dukagjinin e ka konfirmuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit.

Në lidhje me këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjini ka thënë se prokurori i shtetit e ka caktuar masën e parabaurgimit për dy persona të dyshuar.

Për njërin nga të dyshuarit është kërkuar masa e paraburgimit prej 48 orëve, kurse për tjetrin, i cili sipas prokurorisë, është i moshës së mitur, 24 orë.

Të dy personat dyshohen se e kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Dhunimi’, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.

Ulaj ka bërë të ditur se për rastin në fjalë, janë “duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante”.

Tutje, ajo ka shtuar se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë.

Rasti i dhunimit në Prishtinë, Gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve