Osmani për rastin tragjik në Prizren: Akt barbar, shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas ngjarjes tragjike që tronditi vendin, ku një vajzë humbi jetën nga dora e babait të saj, ndërsa nëna dhe vajza tjetër mbetën të plagosura. Osmani përmes një postimi në “Facebook” tha se ky nuk është thjesht një krim por “akt barbar”. Osmani ka bërë thirrje organeve […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas ngjarjes tragjike që tronditi vendin, ku një vajzë humbi jetën nga dora e babait të saj, ndërsa nëna dhe vajza tjetër mbetën të plagosura.
Osmani përmes një postimi në “Facebook” tha se ky nuk është thjesht një krim por “akt barbar”.
Osmani ka bërë thirrje organeve të drejtësisë për veprim me forcë maksimale të ligjit dhe asnjë mëshirë ndaj dhunës. Ajo tha se zbardhja e plotë dhe ndëshkimi maksimal është minimumi që drejtësia kërkon në këtë rast. Osmani u shpreh se ky nuk është vetëm një krim familjar, por një dramë shoqërore që duhet të alarmojë secilin.
“Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi! Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet!Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar. I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës! Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast.
Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura. Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie. Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë! Ngushëllime të thella për jetën e pafajshme të humbur. Lutje për forcë dhe shërim për të mbijetuarat. Dhe zë i lartë për drejtësi!”, ka shkruar Osmani.















