Vjosa Osmani ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës, duke thënë se ai meriton falënderim për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit dhe për mënyrën se si e përballoi procesin.
“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka thënë se dështimi për zgjedhjen e presidentit përbën një humbje për Kosovën dhe një mundësi të humbur për të ndërtuar konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.
“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka shkruar ajo.
Osmani ka vlerësuar se edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo mund të lërë pas një dëshmi të karakterit.
Në fund, ajo e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar deri në fund.
“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani.