Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon kishin qenë temë e diskutimit në mes të parës së vendit dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hovernier.

“Në takim u diskutua edhe për dialogun me Serbinë dhe përpjekjet e shteteve aleate për dinamizim të tij”, është bërë e ditur nga Presidenca e Kosovës.

“Kosova është në koordinim të plotë me SHBA-në, në raport me adresimin e çështjeve prioritare”, ka thënë presidentja e Kosovës Osmani.

Më tej, Osmani ka theksuar se dialogu duhet të përfundojë me “ njohje të ndërsjellë dhe pa prekur rendin kushtetues, integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetin e vendit”.