Osmani: Përkrahja e miqve tanë – vendimtare për ecjen tonë drejt rrugës evropiane
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se mbështetja e miqve është vendimtare për ecjen e Kosovës drejt rrugës evropiane. Kështu ka shkruar Osmani shkurtimisht në rrjetin social Facebook, në të cilin ka shpërndarë një video teksa është takuar me presidenten e […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se mbështetja e miqve është vendimtare për ecjen e Kosovës drejt rrugës evropiane.
Kështu ka shkruar Osmani shkurtimisht në rrjetin social Facebook, në të cilin ka shpërndarë një video teksa është takuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
“Sot në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Përkrahja e miqve tanë është vendimtare për ecjen tonë përpara në rrugën evropiane”, shkroi ajo.
Në deklaratën e saj para hyrjes në Samitin e Bashkimit Evropian, Osmani ka deklaruar se dëshiron një mesazh të qartë nga familja evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij.
Ajo ka theksuar se qytetarëve të Kosovës u duhet një zë i qartë nga BE-ja, teksa ka shtuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Osmani ka potencuar se qytetarëve të Kosovës duhet t’iu mundësohet lëvizja e lirë.
“Sigurisht shpresojmë, megjithatë nuk dua t’i rris pritshmëritë në këtë moment kohor, sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave vite më parë”, ka thënë Osmani.
Presidentja e vendit ka theksuar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një padrejtësi e madhe.
“Shpresoj që BE do të japë këtë mesazh të qartë sot, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave qe një kohë të gjatë, nuk është në dorën tonë, është në dorën e BE-së”.
Ndryshe, në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur punimet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.















