Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Masakrën e Rahovecit, ku më 19 korrik të vitit 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht afro 150 gra, fëmijë e pleq, të strehuar në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec, sikurse edhe në vendin e quajtur “Tuma”.

Në një njoftim nga zyra e presidentes thuhet se zëri për drejtësi do të kumbojë deri në triumfin e saj.

“Përkujtimi i sotëm nuk është vetëm një mundësi për ta kujtuar këtë ditë të trishtë, për ta kujtuar të kaluarën dhe për t`i nderuar viktimat, por mbi të gjitha është thirrje për drejtësi. Kujtimi për jetët e humbura e të pafajshme do të jetë i përhershëm, teksa zëri ynë për drejtësi do të kumbojë, deri në triumfin e saj”, citohet të ketë thënë presidentja.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka përkujtuar Epopenë e Rahovecit, ka thënë se nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga Serbia.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit.

Sipas tij, ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë, ku u masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.

“Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, shkroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka potencuar se për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelojnë Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi. Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit. Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës”, shtoi ai.

Ndryshe, në vitin 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte hyrë për të marrë në kontroll qytetin e Rahovecit.

Por, gjatë luftimeve të cilat zgjatën deri më 25, në altarin e lirisë kanë rënë 25 dëshmorë dhe u vranë mbi 100 civilë shqiptarë.