Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Japonisë, Ryuta Mizuuchi, i cili ia përcolli urimet e perandorit Naruhito për 15-vjetorin e pavarësisë.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, në takim më ambasadorin Mizuuchi, presidentja Osmani ka theksuar se Japonia është një aleate dhe partnere e besueshme e Kosovës.

Osmani e ka falënderuar Japoninë për mbështetjen e deritashme, duke potencuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje përderisa Kosova vazhdon angazhimin drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ajo ka vlerësuar lart edhe kontributin e Japonisë dhe mbështetjen e ofruar Kosovës në fushën e mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, mediave, si dhe mbështetjes së rinisë përmes bursave dhe programeve për shkollim e avancim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me ambasadorin e ri japonez, Ryuta Mizuuchi

Gjatë takimit të tyre është diskutuar për mundësitë e shumta të intensifikimit të bashkëpunimit bilateral.

Presidentja Osmani ka theksuar se ka potencial të madh për investime të mëtejshme të investitorëve japonezë në fusha si teknologjitë e renovueshme, turizmin malor, infrastrukturë, arsim, teknologji informative dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Ndërkaq, Osmani ka potencuar se Japonia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës, ndërsa me ambasadorin Mizuuchi u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit.