Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Tajlandës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e tre tetorit ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Tajlandës, Nipon Petchpornprapas. Teksa i ka uruar mirëseardhje, gjatë takimit, sipas njoftimit të zyrës së presidentes është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale si dhe zhvillimet politike në Kosovë e rajon. “Presidentja Osmani ka vlerësuar se Tajlanda është një […]





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e tre tetorit ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Tajlandës, Nipon Petchpornprapas.
Teksa i ka uruar mirëseardhje, gjatë takimit, sipas njoftimit të zyrës së presidentes është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale si dhe zhvillimet politike në Kosovë e rajon.
“Presidentja Osmani ka vlerësuar se Tajlanda është një partner i fortë bilateral dhe aleat i Kosovës, dhe ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e deritashme nga shteti i tij”, thuhet në njoftim.
Sipas Osmanit, Kosova është e interesuar për forcimin e marrëdhënieve tregtare me Tajlandën.
Gjatë këtij takimi, është diskutuar edhe për thellimin e raporteve në sfera të ndryshme, përfshirë tregtinë, turizmin, kulturën.
Ndryshe, më 26 qershor, Osmani kishte marrë pjesë në Samitin Global të Grave në Tajlandë. Në prani të rreth 600 pjesëmarrësve nga mbi 50 vende të botës, Osmani është shprehur se secila grua është një burim frymëzimi.
Në prani të rreth 600 pjesëmarrësve nga mbi 50 vende të botës, Osmani ka theksuar se kjo është hera e parë e saj që ka vizituar Bankokun si presidente.
“Kjo nuk është hera ime e parë që marrë pjesë në një Samit Global të Grave, por është hera ime e parë që vizitoj Bankokun dhe jam e lumtur të jem me ju sot këtu. Unë them gjithmonë se nuk ju mungon shoqëria e mirë kur jeni në mesin e femrave të suksesshme dhe inspiruese. Për mua secila grua është një burim unik frymëzimi”, është shprehur ajo.
Ndryshe, Osmani, të shtunën e 25 qershorit kishte njoftuar se në kuadër të vizitës në Tajlandë, është mbajtur tryeza e karakterit ekonomik e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Diplomatik, Odën Ekonomike Tajlandeze dhe Bordin e Tregtisë së Tajlandës që ka 115 mijë e 417 anëtarë dhe përfaqëson mijëra biznese.
Ajo kishte thënë se në këtë tryezë është diskutuar për mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të të dyja vendeve.
Në këtë tryezë, prezente ishin biznese e shoqata nga Tajlanda, në mesin e të cilave, disa nga kompanitë më të suksesshme aziatike në fushën e energjisë, ICT, tekstilit, arsimit e turizmit.
Gjatë vizitës, delegacionit iu bashkua edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili bëri prezentimin për potencialin ekonomik të Kosovës para bizneseve tajlandeze.




















