Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Ky takim erdhi në një moment të rëndësishëm politik, me qëllim diskutimin e çështjeve të aktualitetit apo krizes institucionale qe po mbizoteron ne vend.

“Foto nga takimi i Presidentes Osmani me kryeministrin në detyrë, njëherësh kyetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti”, thuhet ne njoftim.

Pas tij, Osmani pritet të ketë takime edhe me liderët e tjerë.

Kurti nuk ka folur para mediave në hyrje të takimit.

Pas takimit me Kurtin, Osmani do ta takojë Memli Krasniqin e PDK-së, pastaj Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe në fund Ramush Haradinajn e AAK-së. Të nesërmen do të ketë takime me përfaqësues të partive të komuniteteve.

Ndryshe, Osmani do t’i takojë liderët e partive parlamentare veç e veç të mërkurën, në përpjekje për të gjetur rrugën drejt daljes nga ngërçi politik në të cilin ka hyrë Kosova si pasojë e dështimit të konstituimit të Kuvendit.

Të gjithë liderët e partive i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Osmanit për takim. Gjatë ditës ajo pritet të takojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, atë të Partisë Demokratike Memli Krasniqi, të Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku dhe të Aleancës për Ardhmërinë Ramush Haradinaj.

Ftesa e Osmanit për liderët u bë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që obligoi deputetët të konstiutojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Që nga e enjtja (26 qershor) kur u publikua aktgjykimi, liderët kanë pasur një takim por nuk janë dakorduar për zgjidhjen.

Ngërçi është krijuar te procesi i zgjedhjes së kryeparlamentarit. Fillimisht VV-ja, si parti fituese, propozoi emrin e Albulena Haxhiut. Ajo nuk mori votat e mjaftueshme në disa tentime. Pas kësaj, VV-ja propozoi të formohet një komision për votim të fshehtë. Deputetët e partive të tjera kritikuan propozimin dhe e cilësuan antikushtetues. Që nga përpjekja e parë e VV-së për këtë komision, ata kanë refuzuar të votojnë. E aktgjykimi i Kushtetueses ka shtuar polemikat mbi këtë çështje. Teksa VV-ja e interpreton si obligim pjesëmarrjen në votim të deputetëve, në partitë tjera thonë se nuk mund të ndryshohet procedura e votimit.