Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons.
Presidentja Osmani, faktin që Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, e ka cilësuar si moment historik, duke shpresuar në përfaqësim të denjë të sportistëve tanë në këto gara ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e deritashme presidentin Parsons dhe ka shtuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira për parasportistët”, thuhet në njoftim.
Kurse presidenti Parsons e ka ftuar zyrtarisht presidenten e vendit që të jetë prezente në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024” më 28 gusht.