Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se provat që e lidhin lidershipin e Serbisë drejtpërdrejt me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, janë të katër natyrave të ndryshme.

Financimi, trajnimi, kontrabandimi dhe konfiskimi i armëve, prodhimi i tyre, janë disa nga provat e mbledhura nga institucionet përkatëse të Kosovës, që, sipas presidentes, dëshmojnë se të njëjtat e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me agresionin në veri.

“Të parat janë provat që i kemi mbledhur që disa muaj rresht që kanë të bëjnë me financimin e drejtpërdrejtë nga shteti serb të çdo anëtari të dy organizatave terroriste, për këto provat janë mbledhur që një kohë të gjatë dhe Serbia as nuk e fsheh një gjë të tillë, e bëjnë këtë me vendime zyrtare të nënshkruara nga zyrtarët e lartë shtetërorë, e para pra është financimi që ka ndodhur për një kohë të gjatë e sidomos për këta muajt e fundit. E dyta është trajnimi që ka ndodhur në baza ushtarake, për të cilat janë mbledhur provat nga institucionet tona të sigurisë, dhe për këto kemi edhe videoincizime nga dronët që terroristët që ikën nga Kosova pas fillimit të sulmit kanë lënë mbrapa, ekzistojnë videoincizime të trajnimeve, ku ministria e Mbrojtjes, ushtria serbe vazhdimisht i kanë trajnuar anëtarët e këtyre organizatave. Ka qenë trajnim i organizuar nga shteti”, tha ajo.

Kontrabandimi i armëve vlerësohet të jetë kryer përmes rrugëve ilegale duke përdorur automjete të blinduara me shënime të falsifikuara të KFOR-it, thotë presidentja.

“Çështja e tretë që e lidh drejtpërdrejt dhe më së fuqishmi Serbinë më agresionin në veri, janë armët që janë konfiskuar ato ditë. Ato janë kontrabanduar nëpërmjet rrugëve ilegale në veri të vendit, operacioneve duke përdorur me automjete të blinduara me shënime të falsifikuara të KFOR-it, ato i kanë takuar armatës serbe, ushtrisë serbe, por u kanë dhënë atyre shënime apo emra të KFOR-it dhe kanë futur armatim në Kosovë”, shtoi presidentja.

Nga ajo çka është konfiskuar, Osmani thekson se dëshmohet se shumica dërrmuese e armatimit është prodhuar në industrinë ushtarake serbe.

Osmani përsërit thirrjen për sanksione ndaj Serbisë si masë parandaluese për të ardhmen