Osmani: Serbia është e interesuar të bllokojë dialogun dhe të arrijë qëllimet nëpërmjet bandave kriminale
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Serbia është e interesuar që të bllokojë suksesin në dialog dhe njëherësh, t’i arrijë qëllimet e saj me dhunë dhe nëpërmjet bandave kriminale. Zyra e Presidentes ka njoftuar se Osmani ka pritur në takim deputetin britanik, David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i […]
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Serbia është e interesuar që të bllokojë suksesin në dialog dhe njëherësh, t’i arrijë qëllimet e saj me dhunë dhe nëpërmjet bandave kriminale.
Zyra e Presidentes ka njoftuar se Osmani ka pritur në takim deputetin britanik, David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste. Në njoftim thuhet se Osmani përveç falënderimeve ndaj MB-së, kërkoi edhe mbështetje. Në këtë takim, Osmani ka thënë se interesi i Serbisë për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor është më i madh se asnjëherë më parë.
“Në takim me deputetin Lammy, presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetje të mëtejme për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë periudhë”, thuhet në njoftim.
“Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtarë, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit. Duke qenë gjithnjë në anën e drejtë të historisë, Kosova është rreshtuar krah aleatëve edhe me vendimet për sanksione ndaj Rusisë e në mbështetje të Ukrainës. Por, siç potencoi presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”, vijon njoftimi.

Presidentja Osmani shtoi se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve drejt forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare e, njëherësh, edhe në luftimin e tendencave destabilizuese rusoserbe.
Në veçanti, Zyra e Presidentes thotë se Osmani potencoi rëndësinë e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete imediate, duke theksuar se vazhdimësia e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar është e rëndësishme në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.















