Osmani: Serbia planifikon ta aneksojë veriun me skenar të Putinit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për gazetën gjermane “Die Ëelt”, ka thënë se Serbia planifikon ta aneksoj veriun e Kosovës me skenarin e njëjtë që e përdori presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për Krimenë. Osmani theksoi se grupet terroriste të cilët e sulmuan Policinë e Kosovës, në Banjskë të Zveçanit më 24 […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për gazetën gjermane “Die Ëelt”, ka thënë se Serbia planifikon ta aneksoj veriun e Kosovës me skenarin e njëjtë që e përdori presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për Krimenë.
Osmani theksoi se grupet terroriste të cilët e sulmuan Policinë e Kosovës, në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, janë trajnuar në bazat ushtarake të Serbisë.
Sulmi terrorist sipas presidentes Osmani kishte për qëllim pushtimin e veriut të Kosovës.
“Serbia ka kohë që planifikon të aneksojë veriun e Kosovës. Pikërisht sipas skenarit që presidenti rus Vladimir Putin përdori në Krime. Beogradi me propagandën e tij po nxit komunitetin serb në Kosovë. Ndërkohë grupet terroriste trajnoheshin në bazat ushtarake serbe. Armët e rënda dhe “burrat e gjelbër” – paraushtarakë me uniforma pa shenja – u kontrabanduan në veri të Kosovës përmes rrugëve ilegale. Ne analizuam hartat, pamjet me dron, armët e sulmuesve dhe telefonat që ata lanë pas largimit. Nga kjo duket qartë se më 24 shtator, sulmuesit kanë dashur të krijojnë fakte në 37 lokacione njëkohësisht në një operacion hibrid për të pushtuar veriun e vendit tonë”, tha ajo.
Osmani u shpreh se aksioni i teroristëve në veri ishte në koordinim me Qeverinë e Serbisë.
“Absolutisht. Pa aparatin shtetëror serb, ata kurrë nuk do të kishin akses në armët ushtarake që i konfiskuam. Burrat u trajnuan në bazat ushtarake serbe nën koordinimin e ministrit serb të Mbrojtjes. Krahas kësaj, sipas qeverisë amerikane, Serbia ka rritur në një masë të paprecedentë praninë e forcave të saj të armatosura në kufirin me Kosovën. Kjo tregon se serbët synojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Dhe se synimi i tyre është ende të pushtojnë pjesë të Kosovës”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke e përdorur retorikën e njëjtë sikurse të Sllobodan Millosheviqit, i cili i justifikoi luftrat e tij në ish-Jugosllavi.
“Kjo është e njëjta retorikë me të cilën Millosheviqi u përpoq të justifikonte luftërat e tij në ish-Jugosllavi në vitet 1990; të njëjtën gjuhë që Putin përdori për të justifikuar pushtimin e tij të plotë të Ukrainës. Qeveria e Kosovës nuk i diskriminon qytetarët e saj në bazë të origjinës së tyre. Realiteti është se njerëzit po largohen nga vendet e tyre në të gjithë Ballkanin Perëndimor – përfshirë Serbinë. Nuk është çështje etnike, por ekonomie. Njerëzit gjejnë punë me pagesë më të mirë diku tjetër. Prandaj si qeveri duhet të punojmë për të krijuar prosperitet për qytetarët tanë. Nuk duhet të biem në grackën e propagandës së Vuçiqit dhe të lejojmë që të mbizotërojë një ekuilibër i rremë. Sepse në ngjarjet në Kosovë ka një agresor të qartë dhe një viktimë të qartë”, tha Osmani.
E pyetur për sanksionet e ShBA-së, ndaj Kosovës, Osmani tha se “y ishte një episod i keqkuptimit që kishim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe që e tejkaluam me sukses. Sot ne qëndrojmë në unison të plotë për të ndaluar sjelljen destabilizuese të Serbisë”.















