Osmani: Serbia po planifikon ta sulmojë Kosovën, do t’i informojë liderët evropianë për këtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se institucionet e sigurisë të vendit, në bashkëpunim me partnerët, kanë mbledhur informacione lidhur me plane për sulme të reja nga Serbia. Osmani ka shtuar se do t’i informojë të gjithë liderët evropianë për këto informacione, duke theksuar se është e domosdoshme të merren masa preventive për ta […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se institucionet e sigurisë të vendit, në bashkëpunim me partnerët, kanë mbledhur informacione lidhur me plane për sulme të reja nga Serbia.
Osmani ka shtuar se do t’i informojë të gjithë liderët evropianë për këto informacione, duke theksuar se është e domosdoshme të merren masa preventive për ta parandaluar destabilizimin e rajonit.
“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informojë të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë, së bashku me partnerët, i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia të mos e destabilizojë më rajonin tonë”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Po ashtu, në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Bruksel, ajo ka bërë thirrje të ndërpriten masat e padrejta ndaj vendit dhe ka kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë për sulmin terrorist.
Osmani ka theksuar se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për deeskalimin e situatës dhe tani është koha që BE t’i heqë masat e vendosura.
Ajo ka shtuar se këto masa po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, duke ndikuar në projekte të rëndësishme si uji i pijshëm dhe menaxhimi i mbeturinave.
“Vij me një numër mesazhesh, kryesisht për t’i bërë thirrje liderëve të Bashkimit Evropian për t’i hequr masat e padrejta kundër Republikës së Kosovës, që ishin vënë shkaku i zhvillimeve në maj. Kosova ka ndërmarrë të gjitha veprimet për deeskalimin e situatës, dhe besoj se tani BE-ja duhet t’i heqë masat që po i dëmtojnë njerëzit në Kosovë, pasi flasim për projekte që kanë të bëjnë me ujë të pijshëm, projekte për menaxhimin e mbeturinave që në mënyrë direket prekin jetët e qytetarëve, pavarësisht etnisë së tyre”, ka deklaruar ajo.
Presidentja e Kosovës gjithashtu ka theksuar nevojën për llogaridhënie dhe drejtësi në lidhje me sulmin e ndërmarrë nga Serbia kundër Kosovës, duke kërkuar që BE të marrë masa kundër Serbisë për të siguruar drejtësi dhe paqe në Ballkan.
Ajo ka thënë se paqja dhe siguria janë parakushtet për rritje, prosperitet dhe zgjerim në rajon.
“Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni kur Serbia organizoi, orkestroi dhe financoi sulmin kundër Republikës së Kosovës. Ne ende jemi në pritje të Bashkimit Evropian që të vendosë masa kundër Serbisë për këtë sulm, pasi duhet të ketë llogaridhënie. Dhe llogaridhënia dhe drejtësia duhet të jenë parimet themelore të paqes dhe sigurisë në Ballkan, dhe paqja dhe siguria duhet të jenë parakusht, siç e thashë për rritje, prosperitet dhe zgjerim”, ka thënë Osmani.
Osmani gjithashtu ka bërë thirrje për zhbllokimin e rrugës evropiane për Kosovën, duke shprehur shqetësimin për mungesën e statusit të vendit kandidat.
Ajo ka theksuar përpjekjet e vendit për t’i përmbushur kriteret evropiane dhe ka shprehur gatishmërinë për të bërë edhe më shumë për t’i përmbushur objektivat e BE-së, por ka kërkuar një mundësi dhe një shans për të ecur përpara në këtë proces të rëndësishëm.
“Është koha e fundit që e ardhmja evropiane e Kosovës të zhbllokohet. Kosova mbetet i vetmi shtet nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, që nuk ka statusin e vendit kandidat. Kemi aplikuar para një viti, dhe është koha që të lëvizim përpara me këtë proces, pasi tashmë kemi bërë hapa të mëdhenj jo vetëm në arritjen e kritereve evropiane, por edhe reformave në sundim të ligjit, demokraci, ekonomi e të tjera, dhe jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, por duhet të sigurohemi që po na jepet një shans për të ecur në këtë rrugë”, ka deklaruar Osmani.















