Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar pas takimit me liderët e partive politike se diskutimi ishte konstruktiv dhe me respekt të ndërsjellë, por ende nuk është arritur ndonjë pajtim final për konstituimin e Kuvendit.
Ajo theksoi se, ndonëse dallimet në qëndrime mbeten, është vërejtur një disponim minimal dhe vullnet nga të gjithë liderët për të gjetur zgjidhje.
“Pavarësisht dallimit në qëndrime diskutimi a qenë me respekt të ndërsjellë dhe ka qenë konstruktiv, ndoshta për shkak përvojës së gjatë që kam në politik kam pa lloj-lloj takimesh në atmosferë atë tensionuara me mospajtime të mëdha, dhe ky nuk ka qenë i tillë. Ka qenë konstruktiv, po tymi i bardhë do të dalë vetëm kur kemi konstituim të Kuvendit”, deklaroi Osmani para mediave.
“Nuk ka pajtim final për konstituim të Kuvendit, disponim mimnal, që vullnet ka tek të gjithë liderët”, shtoi tutje ajo.
Presidentja tha se mungesa e një Kuvendi funksional po e rrezikon një nga parimet themelore të Kushtetutës – ndarjen e pushteteve.
Ajo theksoi se i ka inkurajuar liderët që të mbështeten në këtë parim kushtetues për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit dhe më pas formimin e qeverisë së re.
“Nëse shihet e nevojshme, do të zhvilloj takime të tjera, edhe individuale me liderët. Ky ishte vetëm takimi i parë”, shtoi ajo.
Osmani tha gjithashtu se mungesa e Kuvendit po e zvarrit edhe procesin e disbursimit të fondeve nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian. Ajo tha se, nëse Kuvendi do ta kishte ratifikuar marrëveshjen me BE-në, Kosova do të mund të përfitonte rreth 900 milionë euro.
Mes tjerash, ajo tha se Presidenca nuk përfaqëson asnjë parti dhe se mbetet e përkushtuar në rolin e saj kushtetues për të ndihmuar në zhbllokimin institucional.