Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga vetë Bashkimi Evropian dhe se nuk ekziston asnjë arsye që të pengohet apo të shtyhet heqja e plotë e masave ndaj Kosovës.

Këto deklarata Osmani i ka bërë gjatë një takimi me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të qëndrimit të saj zyrtar në Bruksel, ku po zhvillohen takimet e liderëve të Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Presidentja ka mirëpritur vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, duke theksuar se Kosova shpreson dhe po punon që ato të hiqen sa më shpejt në tërësi.

“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani.