Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin diskutuan për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se në prag të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ka vizituar Tajlandën, ku është takuar me kryeministrin Chan-o-cha, me të cilin kanë diskutuar rreth gatishmërisë së dyanshme për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët të të dyja vendeve.

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës dhe Prayout Chan-o-cha, kryeministri i Tajlandës

‘’Në prag të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, sot e fillova vizitën në Tajlandë. Në ditën e parë u prita nga kryeministri i Tajlandës, Gjeneral Prayut Chan-o-cha, me ç’rast u konfirmua gatishmëria e dyanshme për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët’’, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës dhe Prayout Chan-o-cha, kryeministri i Tajlandës

Tutje, në njoftim thuhet se për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë.

“Në këtë kontekst, presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës dhe Prayout Chan-o-cha, kryeministri i Tajlandës