Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë takimit të saj me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviqin, ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Me anë të një njoftimi për media, Zyra e Presidentes bën të ditur se gjersa Osmani theksoi këtë, ajo ka thënë se Kosova do të vazhdojë koordinimin e saj me aleatët ndërkombëtarë.

“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë. Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.

Krahas kësaj, bëhet e ditur se Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanc për paqe e prosperitet në rajon.

Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dyja shteteve.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.