Osmani takon ambasadorin britanik, flasin për bllokadën në Kuvend
Presidentja, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe nevojën urgjente për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në qendër të bisedës ishte ngërçi institucional dhe rëndësia e një zgjidhjeje sa më të […]
Presidentja, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe nevojën urgjente për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në qendër të bisedës ishte ngërçi institucional dhe rëndësia e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për të mundësuar funksionalizimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Presidentja Osmani ritheksoi angazhimin e saj për të ndërmjetësuar procesin dhe për të ndihmuar në tejkalimin e bllokadës, duke theksuar se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe stabile.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua Procesit të Berlinit, të cilin këtë vit do ta organizojë Mbretëria e Bashkuar.
“Presidentja Osmani dhe ambasadori Hargreaves rikonfirmuan përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si ekonomia dhe mbrojtja, ashtu siç edhe ka patur dakordim gjatë vizitës së fundit në Kosovë të Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy.
Një pjesë e takimit iu kushtua Procesit të Berlinit, të cilën kësaj radhe do ta organizojë Mbretëria e Bashkuar. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën që në agjendën e këtij procesi të prioritizohet çështja e personave të zhdukur me dhunë, si një detyrim moral dhe ligjor që nuk mund të injorohet në kuadër të paqes së qëndrueshme në rajon”, thuhet më tej në njoftim.
Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë që në agjendën e këtij forumi të përfshihet edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, si një çështje thelbësore për drejtësinë dhe paqen e qëndrueshme në rajon.
“Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke parë mundësitë për një rol edhe më aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të rolit të grave në proceset paqësore dhe vendimmarrëse.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për kontributin e saj në avancimin e proceseve demokratike dhe integrimin në organizata ndërkombëtare”.















