Në hapjen zyrtare të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut e cila sivjet po mbahet në Washington D.C., Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka takuar zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think-tanks nga Amerika e Evropa.

Në njoftimin e presidentes Osmani thuhet se në këto takime kanë disktuuar për zhvillimet e fundit të agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimin e kësaj lufte në Ballkan.

“Në hapjen zyrtare të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut e cila sivjet po mbahet në Washington D.C. bashkë me zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think-tanks nga Amerika e Evropa, diskutuam lidhur me zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas invazionit rus në Ukrainë, ndikimin e kësaj lufte në rajonin tonë, si dhe si të vazhdojmë bashkërendimin me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë”, thuhet në njoftim.

Në postimin e saj, presidentja Osmani i ka përmendur të gjithë emrat e atyre me të cilët është takuar.

“Në këtë pritje zyrtare, kisha rastin të takoj Jake Sullivan, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Ministren për Çështje Evropiane të Finlandës, Tytti Tuppurainen, Ministrin Federal të Gjermanisë Wolfgang Schmidt, Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, Senatorin Chris Coons, Kongresisten Veronica Escobar, Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, udhëheqësin e Konferencës së Mynihut Ambasadorin Christoph Heusgen, Ambasadorin Wolfgang Ischinger, si dhe përfaqësues të tjerë pjesëmarrës në konferencë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Presidentja pritet të flasë në panelin për sigurinë energjetike si dhe në disa evente të tjera.