Osmani takon Peach, flasin për dialogun dhe sigurinë në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi. Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, në […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, në takim është diskutuar edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO.
Presidentja Osmani ka theksuar se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Presidentja Osmani gjithashtu ka ritheksuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe.
Lidhur me këtë, ajo ka thënë se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Ndërsa, në takim, sipas njoftimit të Presidencës, Lord Peach e ka përgëzuar Osmanin për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë.















