Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për vizitën e fundit të presidentes Osmani në SHBA, takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë të Administratës Trump, si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.

Me këtë rast, presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë.