Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio, të premten në kuadër të “Forumit Diplomatik të Antalias”.

Në një postim në Facebook, Osmani theksoi se gjatë takimit janë shkëmbyer ftesa për vizita zyrtare në shtetet respektive, me synimin për të thelluar lidhjet miqësore dhe për të hapur mundësi të reja bashkëpunimi.

“Në Antalya, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio.

Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Gjithashtu, diskutuam edhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Shkëmbyem po ashtu ftesat për vizita respektive në vendet tona, për t`i forcuar më tej lidhjet tona miqësore dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ky takim është i rëndësishëm, pasi Serbia ka pretenduar që Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky pretendim u publikua më 3 mars 2020 nga ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq,.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Sierra Leone ishte zyrtarizuar më 11 qershor 2008.