Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka thënë se beson që drejtësia do të triumfojë në procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në një intervistë për “Die Presse”, ajo ka deklaruar se UÇK-ja mbrojti popullin e saj kundër regjimit të Millosheviqit.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës- UÇK-ja, ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”, ka deklaruar ajo.

Këtë intervistë, Osmani e kishte dhënë pak ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Hagë.

Nga ana tjetër, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për zbatimin e planit evropian, gjë për të cilën, Osmani tha se do t’i afrojë drejt BE-së dhe jo ndaj njëri-tjetrit.

“Jo më afër njëri-tjetrit, por më afër BE-së. Suksesi në procesin e udhëhequr nga BE do të sjellë më shumë stabilitet në rajon. Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese për herë të parë. Ai njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Më e rëndësishmja në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill, pas më shumë se dy vjetësh nga konfirmimi i aktakuzës, Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Që të katërtit akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.