Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që të gjejnë sa më parë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në komunikatën nga Presidenca thuhet se Osmani ka kërkuar nga liderët të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, duke vënë në plan të parë interesin e qytetarëve dhe të shtetit.

“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, thuhet nga Presidenca.

Të mërkurën, Presidentja zhvilloi takime të ndara me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, me atë të PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Gjatë këtyre takimeve, liderët paraqitën qëndrimet dhe interpretimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Osmani ka ripërsëritur qëndrimin e saj se moskonstituimi i institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dëmton vlerat demokratike, interesin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në institucione.

Ajo do të vazhdojë me takime konsultative edhe me partitë e tjera parlamentare në ditët në vijim, në cilësinë e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit.