Osmani uron Ditën e Pavarësisë: Asgjë s’mund ta ndalë Republikën tonë sovrane
Për nder të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot është ngritur solemnisht flamuri shtetëror në një ceremoni të veçantë. Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj para mediave, ka theksuar sakrificën shekullore të popullit shqiptar për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. “Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore, të cilën e ka […]
Për nder të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot është ngritur solemnisht flamuri shtetëror në një ceremoni të veçantë.
Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj para mediave, ka theksuar sakrificën shekullore të popullit shqiptar për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore, të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur festojmë sukseset e arritura të Republikës sonë në këto 17 vjet, duke forcuar sovranitetin, shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtar, sundimin e ligjit, demokracinë e ekonominë. Por poashtu është një ditë kur themi faleminderit nga zemra, për të gjthë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka, që sot ta festojmë këtë ditë të shenjtë”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka falënderuar presidentin historik Ibrahim Rugova, komandantin legjendar Adem Jashari me udhëheqjen e UÇK-së, si dhe të gjithë sakrifikuan me mund e gjak që kjo ditë të festohet sot.
“Do të ecim përpara, sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur dhe sovrane”, ka shtuar presidentja.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vuri në pah zhvillimin ekonomik të vendit dhe rolin e Kosovës si shembull në siguri.
“Mund të jemi krenarë që i kemi dalë hakut sakrificës dhe flijimit të dëshmorëve, martirëve, rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, si dhe gjithë atyre që qëndruan në kohët më të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë më të mira”, ka deklaruar Kurti.
Ceremonitë festive për Ditën e Pavarësisë do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës me aktivitete të ndryshme në kryeqytet dhe qytetet e tjera të Kosovës.















