Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e ka uruar udhëheqësin e CDU-së në Gjermani, Friedrich Merz, dhe atë të CSU-së, Markus Soeder, për fitoren në zgjedhjet federale të së dielës.

“Vendet tona ndajnë një histori të gjatë të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe mezi pres t’i thellojmë lidhjet tona të ngushta në vitet në vazhdim”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Aleanca CDU/CSU i fitoi zgjedhjet me 28.5 për qind të votave. Udhëheqësi i saj, Merz, pritet të nisë tani bisedimet për të zgjedhur partnerin e koalicionit. Ai e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila doli e dyta në zgjedhje.