Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Roberta Metsolën për rimarrjen e mandatit në krye të kryesisë së Parlamentit Evropian.

Në një postim në platformën X, Osmani ka thënë se ka pritshmëri për vazhdimin e bashkëpunimit për avancimin e rrugës së Kosovës drejt BE-së.

“Ndërsa vazhdoni të udhëhiqni Shtëpinë e Demokracisë së Evropës në këto kohë sfiduese, unë pres që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe të avancojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Osmani.

Congratulations, dear @RobertaMetsola, on your re-election as @EP_President!

As you continue to lead Europe’s House of Democracy in these challenging times, I look forward to continuing our excellent cooperation and to advancing Kosovo’s EU path. 🇽🇰🇪🇺 pic.twitter.com/Avl2bGOeY7

— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) July 16, 2024

Përbërja e re e Parlamentit Evropian u konstituua të martën.

Ajo doli nga zgjedhjet që u mbajtën në të 27 vendet e Bashkimit Evropian nga data 6 deri më 9 qershor.

Në krye të PE-së u rizgjodh maltezja Roberta Metsola, e cila do ta drejtojë këtë institucion edhe për dy vjet e gjysmë.

Metsola vjen nga vendi më i vogël në BE. Ajo u zgjodh për herë të parë në janar të vitit 2022, pas vdekjes së paraardhësit të saj, David Sassoli.

Për Metsolën votuan 562 përfaqësues evropianë.

Kjo është përbërja e dhjetë e Parlamentit Evropian, i cili i ka 720 deputetë.

Prej tyre, 54 për qind janë emra të rinj, ndërsa 39 për qind janë gra.

Konstituohet PE-ja, Metsola rizgjidhet kryetare