Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Marcio Rubion për emërimin e tij si sekretar i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me të.

“Kosova mezi pret të punojë me ju në forcimin e aleancës sonë të qëndrueshme, promovimin e vlerave tona të përbashkëta dhe adresimin e sfidave të kohës sonë së bashku. Në emër të popullit të Kosovës, ju uroj sukses në këtë rol të rëndësishëm,” ka shkruar Osmani në platformën sociale “X”, duke bashkëngjitur një fotografi nga një takim i mëhershëm me Rubion.

Rubio është i pari i nominuar i Donald Trump që mori konfirmimin nga Senati amerikan për këtë post.

Rubio ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të lartë kosovarë, duke përfshirë takime me ish-presidentin Hashim Thaçi në vitin 2018 dhe me presidenten Vjosa Osmani në vitin 2023.

Për më tepër, ai pati përgëzuar Kosovën dhe Izraelin në vitin 2021 për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.