Osmani: Vendimi për zgjedhjet në veri çështje ditësh

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në dy-tri ditët e ardhshme, do të sqarohet gjithçka lidhur me zgjedhjet në veri të vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim para mediave, ka thënë se afati i mbajtjes së zgjedhjeve në veri pritet të kuptohet brenda dy apo tre ditësh.

Osmani ka folur në Prishtinë, pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.

Ajo ka thënë se do të takohet sot me disa prej institucioneve të sigurisë.

Po ashtu, Osmani ka thënë se po pret raportin e institucioneve të sigurisë për situatën në veri, gjersa ka theksuar se pas pranimit të raportit, do ta ketë një pasqyrë të qartë për çështjen e zgjedhjeve.

“Po, kam kërkuar raport në fakt në baza ditore, sot kam takime me disa prej institucioneve të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Por, tani janë duke më pritur në zyrë, pra është një prej takimeve të shumta që do ta kem sot, lidhur me situatën. Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë në baza ditore, megjithatë, tani na duhen edhe më shpesh për shkak të zhvillimeve. Kështu që, në momentin që do ta marrë raportin e plotë, do të kemi pasqyrë edhe më të qartë sa i përket çështjes së zgjedhjeve që e përmendet ju”, u shpreh Osmani.

Njashtu, Osmani ka treguar edhe procedurat e shtyrjes së zgjedhjeve, duke thënë se puna e parë është vlerësimi i situatës nga institucionet e sigurisë në Kosovë, ku më pas nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, propozimi shkon në Presidencë. Ndërkaq, sipas saj, Komisioni i Venecias kërkon që Presidenca të konsultojë partitë politike dhe të arrijë një konsensus me këto të fundit, jo të ndërmerret ndonjë vendim kokë në vete.

“Tani unë po ju njoftoj se si është procedura, si rregull ekzistojnë kritere të caktuara, të cilat janë caktuar nga Komisioni i Venecias për çështjen e shtytjes së zgjedhjeve. Në rastet kur ligji shprehimisht nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, siç është rasti i Kosovës, atëherë e para që duhet të bëhet në këtë rast është vlerësimi nga institucionet e sigurisë në Kosovë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ dhe në KQZ duhet të ketë një pajtim për të propozuar një gjë të tillë, në qoftë se ata e vlerësojnë si të nevojshme. Pastaj, ai propozim vjen në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias kërkon që Presidenca patjetër të konsultojë partitë politike dhe në rastet kur shprehimisht nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë, atëherë duhet që në këto konsultime me partitë politike të ketë një lloj konsensusi. Pra, nuk mundësh në qoftë se shumica dërmuese e partive nuk janë pro, që të merret vendim kokë në vete, siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse do të ishte në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për shtyerjen e zgjedhjeve”, ka sqaruar Osmani.

Pra Osmani ka bërë të ditur se pa konsensusin e të gjitha partive politike nuk mund të caktohet një vendim për zgjedhjet, gjersa ka theksuar se patjetër duhet të ketë konsensus të plotë, pasi aty përfshihen të gjitha partitë.

Tutje, e pyetur se a do të jetë edhe Lista Serbe në diskutime, ajo u shpreh se do të ftohet edhe Lista Serbe, pasi është parti e përfaqësuar në parlament. Osmani ka theksuar se ftohen të gjitha partitë që janë të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhje, e pastaj varet nga to a do të marrin pjesë në diskutime apo jo.

“Ata ftohen për shkak se janë parti e përfaqësuar në parlament, si rregull në këto konsultime, unë i ftoj të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament, edhe në qoftë se e kanë vetëm një deputet dhe përveç kësaj, ftohen edhe të gjitha ato partitë që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Pra, do të ftohen, dhe a do të marrin pjesë është çështje e tyre”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, e pyetur për incidentet në veri të vendit, Osmani u shpreh se gjithmonë kur Kosova është në afërsi të një marrëveshjeje finale, krijohen kriza në veri. Kësaj radhe sipas Osmanit, tentohet të parandalohen diskutimet në Bruksel dhe të preket diskutimi për propozimin franko-gjerman që është përkrahur nga ShBA-ja.

“Në këtë mënyrë Serbia natyrisht edhe tenton që të krijojë kriza të reja, të cilat pastaj do ta parandalonin diskutimin edhe në Bruksel të propozimit franko-gjerman, të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Eshtë një prej strategjive të tyre të vjetra. Sa herë i afrohemi një marrëveshje finale ata tentojnë të krijojnë kriza në veri”, u shpreh Osmani.

Ndërkaq, ajo ka shtuar se kjo është një shtytje e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdon të mbështesë dhe financojë strukturat ilegale të shndërruara në banda kriminale.

“Kjo është një shtytje e Vuçiqit, e cili vazhdon t’i financojë dhe t’i mbështesë strukturat ilegale të shndërruara në banda kriminale, të cilat po terrorizojnë qytetarët që jetojnë në veri dhe në të njëjtën kohë, po tentojnë që të sfidojnë institucionet e sigurisë”, ka thënë Osmani.

Ndër të tjera, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre, përpjekjet, organizimin dhe bashkërendimin, në mënyrë që ta mbrojnë secilin qytetar që jeton në veri, pasi sipas saj, jeta e qytetarëve është mbi të gjitha.

“Çka duhet institucionet e Kosovës të bëjnë, është që t’i rrisin kapacitetet e veta, përpjekjet, organizimin dhe bashkërendimin, në mënyrë që ta mbrojmë secilin qytetar që jeton në veri të vendit, pavarësisht etnisë apo backgroundit tjetër, s’është me rëndësi, është jeta e qytetarëve dhe është mbi të gjitha. Kjo duhet të jetë prioritet i yni, pra mbrojtja e tyre nga këto banda kriminale, të cilat dihet se dirigjimin e kanë nga Serbia”, ka thënë Osmani.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika