Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi nëse do të kandidojë për një mandat të dytë në Presidencë do të merret duke pasur parasysh vetëm interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ajo ka shtuar se do të diskutojë për këtë çështje në vitin e ardhshëm, duke theksuar se çdo vendim që ka marrë gjatë karrierës së saj politike ka qenë gjithmonë i udhëhequr nga një përkushtim i fortë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës.

“Nga viti i ardhshëm, do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj.

Edhe këtë herë, vlerësimi se ku mund të kontribuoj do të bëhet vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë në jetën time nuk jam varur nga politika, nuk varem as tani. Do t’u shërbej qytetarëve të Kosovës për aq kohë sa ata dëshirojnë që unë t’u shërbej atyre”, ka thënë Osmani.

Këtë deklaratë, presidentja e bëri pas lansimit të nismës për mbështetjen e qasjes në financa së grave ndërmarrëse.