Gjithçka është gati për nisjen e protestës paqësore në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Këtë e tha për Dukagjinin edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, i cili bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë pengesë as në pikat kufitare.
Syla, mes tjerash, bëri të ditur se presin që protesta të zhvillohet e qetë sipas planit.
“Sipas informatave nga bashkëluftëtarët tanë, aktualisht nuk ka asnjë pengesë në pikat kufitare. Qarkullimi po zhvillohet normalisht dhe gjithçka po shkon mirë. Presim që protesta e paralajmëruar nga OVL UÇK të zhvillohet qetë dhe sipas planit”, u shpreh Syla për Dukagjinin.
Kujtojmë se kjo protestë mbahet pas asaj në Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, akuza për të cilat të katër ish-zyrtarët e lartë janë deklaruar të pafajshëm.