Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka paralajmëruar se organizata do të ndërmarrë hapa të tjerë, përfshirë protesta, nëse nuk procedohen ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Syla ka bërë të ditur se OVL-UÇK-ja ka përfunduar përgatitjet për marshin e 1 tetorit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke u bërë thirrje veteranëve të luftës dhe qytetarëve që t’i bashkohen këtij organizimi.
“Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj (të propozuar nga PDK-ja për ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara), përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme”, tha ai.
Duke folur për marshin e paralajmëruar, Syla tha se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e tij më 1 tetor, ndërsa ftoi qytetarët që të marrin pjesë.
“Çështja e dytë për të cilën ju kemi thirrur sot është që organizatat e veteranëve të UÇK-së i kanë bërë të gjitha përgatitjet për marshin e datës 1 tetor. Nga këtu edhe një herë ju bëjmë thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, por edhe të gjithë qytetarëve që ndjejnë që kjo padrejtësi e datës 16 shtator ka cenuar luftën tonë të drejtë dhe shtetësinë e Kosovës, që më datën 1 tetor të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’”, tha ai.
Syla ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe ndryshimet ligjore nuk procedohen, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta nuk do të qëndrojnë duarkryq, por do të ndërmarrin hapa të tjerë.
“Dhe e kuptojmë që në qoftë se nuk do të merren parasysh edhe kërkesat tona, edhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast e PDK-së, për t’i futur këto ndryshime në ligj, e kuptojmë që është qëllim i keq, e sigurisht ne kemi me i marrë veprimet tona, edhe po e kemi me dalë në rrugë, po do t’i japim mundësi të gjithë atyre në institucionet tona që me u shpreh deri para asaj date, por sido që të jetë, në qoftë se nuk procedohet më tutje, ne veteranët e kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrimë duarkryq edhe kemi me i marrë hapa të tjerë, për të cilët do t’ju bëjmë të ditur”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se organizime të tilla do të vazhdojnë deri në kthimin e bashkëluftëtarëve të tyre në shtëpi, duke e cilësuar marshin e 1 tetorit si paralajmërim për veprimet e ardhshme.
“Ka me pasur organizime të tilla nga OVL-UÇK deri ditën sa bashkëluftëtarët tonë do të kthehen në shtëpitë e tyre, të pafajshëm. Do të thotë, ajo ka qenë një paralajmërim, një nxehje e kësaj çfarë ka me ndodhur”, tha ai./EO