Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, tashmë kanë më shumë informacione rreth akuzave që rëndrojnë mbi ta nga zyra e Prokurorit të Specializuar.

Shumë redaktime janë larguar, në versionin publik të aktakuzës së ZPS-së, duke u zbuluar emrat e shumë viktimave, që pretendohet se u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së.

Me këtë veprim, Prokuroria, sipas avokatit, Artan Çerkini ra në kundërthënie me veten.

“Në njërën anë ata vazhdimisht kanë kërkuar që emrat e personave të dëmtuar të fshihen për shkak të ndikimit në dëshmitarë, kurse në anën tjetër po i publikojnë emrat”, ka thënë Çerkini.

E publikimi i ri i Zyrës së Prokurorit, e ka zemëruar Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

“Skandali tjetër dhe poshtërsia e radhës nga Gjykata Speciale, përkatësisht Pseudo Zyra e Prokurorit të Specializuar: I publikon emrat e viktimave që kinse i kanë kryer krerët e UÇK-së, e kjo bëhet para se të filloj procesi gjyqësor. Me këtë, për herë të dytë, por edhe më shumë i rrezikojnë dëshmitarët, sepse herën e parë i kanë rrezikuar kur ju ndodhi skandali i rrjedhjes së dosjeve nga zyrat e tyre në Hagë dhe për fajin e tyre mbahen peng qe dy vite e gjysmë krerët e OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka thënë Klinaku.

Mirëpo, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tregoj se ky është një veprim i zakonshëm i tribunaleve ndërkombëtare.

“Në Kosovë, ashtu edhe në tribunalin Penal, nuk është diçka e jashtëzakonshme nëse publikohen emrat e viktimave. Por, siç po e shohim ende disa emra të viktimave qëndrojnë të redaktuara. Në këtë rast, Prokurori konsultohet me familjen e viktimave dhe ata deklarojnë në rast se dëshirojnë që identiteti i tyre të publikohet ose jo”, ka thënë Alija.

Në mesin e viktimave, të cilët pretendohen se u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së, janë shqiptarë, serbë dhe një rom i paidentifikuar.