Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj ish-kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në një reagim pas rastit të ndodhur në Kuvendin e Kosovës, OVL-UÇK ka thënë se thirrjet publike për dhunë përbëjnë akte kriminale dhe cenojnë sigurinë publike dhe rendin kushtetues.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon pa rezervë gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj Ramush Haradinajt, Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit. Thirrjet publike për dhunë janë akte kriminale. Ato godasin sigurinë publike, rendin kushtetues dhe vetë vlerat mbi të cilat u ngritën liria dhe shtetësia e Kosovës”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka përgëzuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për reagimin e shpejtë në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
“Përgëzojmë Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e shpejtë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Ky veprim tani kërkon një proces ligjor po aq të rreptë, pa asnjë hapësirë për kompromis”, thuhet më tej.
Organizata ka kërkuar që rasti të trajtohet me gjithë forcën e ligjit, duke paralajmëruar se çdo tolerim do të mund të krijonte një precedent të rrezikshëm.
“Çdo kërcënim i tillë duhet të përballet me gjithë forcën e ligjit. Ngurrimi në këtë rast do të krijonte një precedent të rrezikshëm, duke trimëruar ata që duan të minojnë stabilitetin e Kosovës”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka theksuar se drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe personi përgjegjës të përballet me përgjegjësinë ligjore.