Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i është drejtuar me një letër publike ambasadorit Richard Grenell, i Dërguar i Posaçëm i Presidentit Donald Trump për Misione të Veçanta, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me drejtësinë dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në letrën e tyre, veteranët shprehin zhgënjimin se gjykata që fillimisht ishte menduar të sillte drejtësi, është shndërruar në një mjet politik për ndëshkim dhe heshtje të atyre që, sipas tyre, e sollën paqen dhe e mbrojtën lirinë.
“Presidenti Trump, administrata e tij dhe ju personalisht e kuptuat atë që bota e kishte harruar: liria nuk dhurohet. Liria fitohet. Dhe mbi të gjitha, liria mbrohet”, thuhet në letrën e veteranëve.
Ata kujtojnë sakrificën e UÇK-së në luftën kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe përkushtimin e tyre pas luftës për ndërtimin e një Kosove demokratike, duke shtuar se e kanë përqafuar drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin e Hagës, por sipas tyre, “Dhomat e Specializuara nuk janë drejtësi, janë një gjueti shtrigash”.
“Kur drejtësia uzurpohet nga elitat politike, ajo kthehet në mjet për të heshtur patriotët. Kjo gjykatë është bërë pikërisht kjo – një vegël për të heshtur ata që sollën paqen, që ndalën gjenocidin, që mbrojtën lirinë”.
OVL-UÇK aludon se ngritja e aktakuzave nga një prokuror i korruptuar kishte qëllim të sabotonte iniciativën për paqe të Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë. Ata kërkojnë mbylljen e kësaj gjykate dhe një hetim të pavarur rreth funksionimit dhe shpenzimeve të saj.
“Taksa-paguesit amerikanë nuk kanë investuar në një gjykatë që shkel vlerat e drejtësisë dhe lirisë për të cilat vetë Amerika qëndron. Kjo është një turp për drejtësinë amerikane”, thuhet më tej në letër.
Me tone emocionale, letra mbyllet me një thirrje të fuqishme: “Nëse liria ka ende kuptim, nëse drejtësia nuk është thjesht një fjalë, por një parim – kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Ne luftuam kundër Millosheviqit për ta ndalur këtë lloj abuzimi. Dhe do të flasim sërish. Kjo nuk është thjesht një thirrje për ndihmë, por një thirrje për të mbrojtur lirinë, sërish”.
Letra e plotë e OVL-UÇK për Richard Grenell:
I nderuar Ambasador Richard Grenell,
Po ju drejtohemi në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) për të shprehur shqetësimin tonë të thellë dhe në rritje se Dhomat e Specializuara për Kosovën e kanë humbur qëllimin e saj. Ajo që duhej të ishte një gjykatë drejtësie është shndërruar në një armë politike. Pikërisht ju, më shumë se kushdo tjetër, e dini se çfarë ndodh kur drejtësia bëhet politike, ajo kthehet në shtypje. Kthehet në tirani me mantelin e gjykatësit.
Presidenti Trump, administrata e tij, dhe ju personalisht e keni kuptuar diçka që pjesa tjetër e botës e ka harruar: Liria nuk dhurohet. Liria fitohet. Më e rëndësishmja, liria mbrohet.
Ne, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kemi mbrojtur atë liri. Luftuam kundër njërit prej regjimeve më brutale në Evropë. I varrosëm vëllezërit dhe motrat tona. Humbëm shtëpitë, gjymtyrët dhe familjet. Por kurrë nuk e humbëm besimin në demokraci, në liri dhe në premtimin amerikan se drejtësia dhe liria ecin krah me krah.
Kur mbaroi lufta, nuk u kapëm pas armëve por i dorëzuam ato. Procesi ynë i çarmatimit, çmobilizimit dhe riintegrimit ishte ndër më të suksesshmit në histori. Ndihmuam në ndërtimin e një Kosove demokratike. I kthyem luftëtarët në qytetarë. E ndoqëm shembullin amerikan, sepse besuam në të.
Përballë drejtësisë kemi dalë edhe më herët (në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë), dhe nuk kemi ikur. Liderët tanë atëherë dhanë dorëheqje vullnetarisht për të dëshmuar pastërtinë e luftës sonë, sepse kur drejtësia është e drejtë, e vërteta fiton. E Dhomat e Specializuara? Kjo nuk është drejtësi. Kjo është një gjueti shtrigash.
Presidenti Trump e di më mirë se kushdo tjetër se kur drejtësia rrëmbehet nga elitat politike, ajo kthehet në një armë për të heshtur patriotët. Pikërisht kjo gjykatë është bërë një mjet për të heshtur ata që sollën paqen, ndalën gjenocidin, dhe mbrojtën lirinë.
Dorëheqjet e disa prokurorëve kryesorë, gjyqtarëve dhe zyrtarëve ligjorë nga kjo gjykatë nuk ishin rastësi. Ishin ndërgjegje. Ata e panë se kjo gjykatë është kthyer në një makinë e përndjekjejes politike. U desh të vijë një prokuror i korruptuar, me rrethana të errëta, për të ngritur aktakuzat. Dhe ju e dini, e dini më mirë se kushdo, se ato aktakuza ishin të dizajnuara për të sabotuar iniciativën tuaj për paqe në Zyrën Ovale gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump. Një paqe që ishte afër të arrihej.
Ai prokuror u kthye në Amerikë pasi bëri dëmin, duke shpresuar të manipulonte vullnetin e popullit amerikan. Dështoi keq. Sepse Amerika është ndërtuar mbi shekuj lirie, sundimi të ligjit dhe madhështisë kushtetuese. E kjo gjykatë? Kjo gjykatë është ndërtuar mbi idetë e burokratëve dhe klientëve të pushtetit që e shohin drejtësinë si një mjet për pushtet, e jo si një qëllim më vete.
Presidenti ynë, kryetari i Kuvendit dhe deputetët tanë të zgjedhur shkuan vullnetarisht në atë gjykatë. Ata nuk kanë asgjë për të fshehur. Por nuk mund të mbrohesh në një sallë gjyqi që është ndërtuar për të ta shtypur zërin. Kjo nuk është drejtësi. Ky është një gjyq politik i inskenuar.
I nderuar Ambasador, po ju drejtohemi jo si politikanë, por si veteranë drejtuar një veterani tjetër. Vëllezër të armës. Mbrojtës të lirisë. Po ju kërkojmë të ngrini këtë çështje në administratën tuaj. Tatimpaguesit amerikanë nuk i kanë dërguar paratë e tyre të fituara me djersë në Evropë për të financuar një gjykatë që shkel vlerat mbi të cilat është ndërtuar Amerika. Presidenti Trump po rishkruan rregullat e vjetruara të kontrollit politik ndaj drejtësisë së pavarur dhe sipas këtyre rregullave të reja, kjo gjykatë duhet të mbyllet. Ajo është një turp për drejtësinë amerikane dhe për vlerat amerikane.
Kërkojmë një rishikim të plotë, një auditim financiar dhe një hetim të pavarur për mënyrën se si funksionon kjo gjykatë dhe se si zyrtarët e saj jetojnë si mbretër, ndërsa luftëtarët tanë të lirisë mbahen nëpër qeli vetëm se kanë mbrojtur atë.
Nëse liria ka kuptim, nëse drejtësia nuk është vetëm një fjalë por një parim atëherë kjo nuk mund të tolerohet. Ne luftuam kundër Millosheviqit për të ndalur pikërisht këtë lloj abuzimi. Dhe do të ngremë zërin sërish.
Amerika ishte me ne kur na duhej më së shumti. Dhe tani po ju kërkojmë sërish, ju lutemi, mos lejoni që kjo gjykatë të shkruajë një histori të rreme. Mos lejoni që elitat e korruptuara të shndërrojnë veteranët në horra.
Kjo nuk është thjesht një thirrje për ndihmë por është një thirrje për të mbrojtur lirinë, sërish.
Me respekt,
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL,SHIL,SHFD- UÇK)