Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë në mbështetje të propozimit të Ramush Haradinajt që Hashim Thaçi, pas kthimit në Kosovë, të marrë sërish mandat nga Kuvendi dhe të zgjidhet president i vendit.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK vlerëson se kjo ide ka peshë kombëtare dhe institucionale, duke e konsideruar atë si një mundësi për të kontribuar në unifikimin politik të vendit.
Sipas veteranëve, roli i Thaçit gjatë luftës së UÇK-së dhe angazhimi i tij në proceset shtetformuese e shtetndërtuese të Kosovës përbëjnë bazë që propozimi të merret seriozisht në konsideratë.
OVL-UÇK u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që çështjen ta trajtojnë përtej ndarjeve partiake, duke vendosur në plan të parë interesin shtetëror.
Organizata ka theksuar se kthimi i Thaçit në Kosovë duhet të shoqërohet me dinjitet institucional dhe me zgjidhje brenda kornizës ligjore, ndërsa ka kërkuar që situata aktuale politike dhe institucionale të mos e mbajë vendin në ngërç.
Propozimi që Thaçi të rikthehet në postin e presidentit pas kthimit në vend ishte bërë nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
