Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka njoftuar se do të organizojë protesta në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj.
Vendimi është marrë pas një takimi me kryetarët e degëve të OVL UÇK-së.
Sipas njoftimit, protestat në qytete do të mbahen në ora 17:00, ndërsa dega e Prishtinës do t’i bashkohet protestës që do të mbahet në ora 21:00.
OVL-UÇK ka ftuar institucionet komunale dhe qytetarët që t’u bashkohen protestave, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare.
Organizata ka deklaruar se do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës çlirimtare, me kusht që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të mos cenojnë rendin kushtetues.
Në këtë situatë, OVL-UÇK u ka bërë thirrje të gjithë spektrit politik, shtetëror dhe kombëtar që të jenë unikë dhe të nisin sa më parë hartimin e një strategjie kombëtare, përmes së cilës do të sigurohej mbështetje për ish-krerët e UÇK-së deri në vendimin e Apelit.