Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas nderimit të njësive ushtarake serbe, duke e cilësuar këtë veprim si institucionalizim të mohimit të krimeve të luftës dhe mbrojtje të pandëshkueshmërisë.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se nderimi i njësive ushtarake serbe, në kohën kur Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat shtetërore dhe të fshehë provat për krimet e luftës, nuk mund të konsiderohet përkujtim, por një përpjekje për të mohuar të vërtetën.
Sipas organizatës, e vërteta nuk mund të fshihet përmes medaljeve, nderimeve shtetërore apo rishkrimit të historisë. OVL-UÇK rithekson se hapja e arkivave ushtarake dhe policore të Beogradit, si dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur, mbeten detyrime të domosdoshme.
Në fund, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thekson se Kosova do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën dhe llogaridhënien për krimet e luftës, duke shtuar se heshtja përballë glorifikimit të njësive serbe vetëm sa e ushqen mohimin.