Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka ndryshuar orarin e protestës së paralajmëruar për të hënën, më 5 tetor.
Protesta, e cila ishte planifikuar të mbahej në orën 12:00, do të nisë në orën 09:00 para Kuvendit të Kosovës, në të njëjtën kohë kur fillon seanca plenare.
Ndërkohë, organizata “Jo në emrin tim” ka njoftuar se do të qëndrojë gjatë natës para Kuvendit, ndërsa ka ftuar qytetarët që nga ora 08:00 të bashkohen në sheshin “Skënderbeu”.
“Pa dallime partiake. Bashkë për një kërkesë: VOTOJENI LIGJIN!”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Seanca e Kuvendit është thirrur nga kryetarja Albulena Haxhiu për në orën 09:00, ndërsa pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.