Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila i uli dënimin Shalës nga 18 vjet burgim në 13 vjet burgim.

Në një komunikate për media, OVL–UÇK ka thënë se vendimi që ata kanë pritur ka qenë lirimi.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim. Ky aktgjykim, në vend që të përmbyllë padrejtësinë, veçse e thellon bindjen tonë se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”, thuhet në reagim.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë, dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet!”, thuhet tutje në reagim.