Rregullorja e re e BQK-së që ndalon dinarin dhe vendosmëria e kryeministrit Albin Kurti për të mos e shtyrë implementimin e një rregulloreje të tillë ka dëmtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, duke folur për këtë çështje dhe për mosdëgjueshmërinë e Kurtit karshi kërkesave të Uashingtonit zyrtar, ka thënë se nëse Kurti nuk e sheh Amerikën si aleat, njëjtë s’do ta shohë as SHBA-ja atë. Ndërkohë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një konferencë për medie, ka nënvizuar se sa e rëndë është situata në raportet Kosovë-SHBA dhe ka thënë se ata që thonë se raportet me SHBA-në s’janë prishur edhe pas intervistës së O’Brien po gënjejnë, meqë çështja e dinarit ka dëmtuar aleancën në mes të SHBA-së dhe Kosovës.

Lidhur me këtë situatë të rënduar të raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së, në një prononcim për Gazetën Express ka folur ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa për Gazetën Express ka thënë se vendosja në krizë e raporteve me SHBA-në, por edhe me Brukselin, për një shtet të ri si Kosova është mjaft një sfidë e madhe.

Ish-kryetari i LDK-së ka thënë se sa kishte qenë në krye të partisë kishte vendosur për ta prishur marrëveshjen me VV-në dhe për ta rrëzuar Kurtin nga Qeveria, për shkak të mospajtimit me politikën kundërshtuese ndaj aleatit strategjik të Kosovës.

Mustafa ka thënë se me këtë veprim kishte rrezikuar partinë, duke bërë kështu që LDK-ja të paguajë çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Megjithatë, ish-kryeministri Mustafa thotë se atëherë ka qenë situata ndryshe, meqë ishte vetëm Administrata e SHBA-së që kishte mospajtime me Kurtin, ndërkohë që përfaqësuesit amerikanë, britanikë gjermanë e francezë në Kosovë ishin në përkrahje të Albin Kurtit.

“Vënia në krizë e raporteve me SHBA-të por edhe me BE-në është sfidë e madhe për Kosovën si shtet i ri dhe akoma i papërfunduar në OKB dhe i panjohur nga 5 vende të BE-së. Sa isha kryetar i LDK-së e prisha koalicionin me VV-në dhe e rrëzova Qeverinë Kurti, sepse nuk pajtohesha me politikën kundërshtuese ndaj SHBA-së, si partnere strategjike e Kosovës. Rrezikova LDK-në, e cila pagoi çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Por atëherë ishte pak më ndryshe, sepse përderisa administrata amerikane shprehte mospajtime me Qeverinë Kurti (ku ishte edhe LDK), përfaqësuesit amerikanë, gjermanë, francezë e britanezë në Kosovë ishin me Kurtin dhe për Kurtin”, ka thënë Mustafa për “Express”.

Ish-kreu i LDK-së ka thënë se kanë qenë të bindur se s’ka siguri të Kosovës pa NATO-n, dhe se Kosova s’mund ta arrijë NATO-n pa Amerikën. Mustafa thotë se pa SHBA-ja s’ka as njohje ndërkombëtare, as anëtarësim në OKB dhe organizata të tjera dhe thekson se njëjtë mendon edhe tani.

“Në LDK ishim të bindur se s’ka siguri të Kosovës pa NATO-n dhe s’ka NATO në Kosovë pa SHBA-të; S’ka njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në OKB, në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare pa partneritet me SHBA-të. Ashtu mendoj edhe tani”, ka potencuar Mustafa për “Express”.

Por ai thotë se tashmë situata është edhe më e rëndë, sepse Qeveria Kurti po kritikohet nga demokratët e SHBA-së, gjermanët, francezët e britanikët, që ish-kryetari i LDK-së thotë se “t’i nxirrnin sytë për VV-në”

“Situata aktualisht është edhe më e rëndë, sepse Qeveria po kritikohet nga demokratët e SHBA-së, nga gjermanët, francezët e britanezët që t’i nxirrnin sytë për VV-në”, shprehet Mustafa.

Isa Mustafa thotë se është e qartë që çdo fitore me populizëm dhe duke anashkaluar partnerët është humbje si për atë që fitojnë, njëjtë edhe për ata që abstenojnë. Prandaj, Mustafa thotë se pa SHBA-në Kosova është vetëm një karikaturë dhe shton se duhet reflektim nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, opozita e shoqëria civile për të rikthyer gjërat në binarë drejt konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

“Është shumë e qartë se çdo fitore me popullizëm duke nënçmuar dhe anashkaluar partnerët është humbje si për ata që fitojnë sikurse edhe për ata që abstenojnë. Pa SHBA, Kosova nuk është shtet; është vetëm një karikaturë. Prandaj lypset të reflektojnë Presidenca, Kuvendi, Qeveria, opozita, shoqëria civile për të rikthyer besimin e partnerëve dhe për të trasuar rrugën e konsolidimit të mëtejmë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Mustafa./GazetaExpress/