Më 6 nëntor 2022, të gjithë kryetarët e katër komunave veriore, dhanë dorëheqje kolektivisht.
Tri vite më vonë, po kthehen prapë për t’i pranuar detyrat e njëjta,
Milan Radojeviq, postin e kryetarit te Mitrovicës Veriore, Dragisha Miloviq, në Zveçan, Zoran Todiq në Leposaviq e Millosh Peroviq në Zubin Potok.
Dorëheqjet e orkestruara nga Lista Serbe, për qytetarët serbë nuk sollën asnjë dobi, ndërsa ndaj institucione të Kosovës, mediave e madje edhe ndaj KFOR-it, prodhuan dhunë të paparë viteve të fundit.
Tri vjet më vonë realiteti ka ndryshuar.
Në sheshet ku dikur qëndronin persona të maskuar e shkrepej arma, sot patrullojnë lirshëm policët e trafikut.
Në afërsi të secilës Komunë sot është vërejtur prania e tyre.
Aty ku dikur valonte flamuri i Serbisë, e me raste në mure vareshin edhe fotografitë e Vuçiqit e të Vladimir Putinit, sot qëndrojnë flamujt shtetëror të Republikës së Kosovës, e fotografia e Presidentes së shtetit.
Në këtë realitet të ri, detyrat do t’i dorëzojnë, Erden Atiqi ne Mitrovicën Veriore, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan e Lulzim Hetemi në Leposaviq.
Nënshkrimet e pjesëmarrjes në seancë, nënshkrimi i betimit si asamblist e deri tek pranimi i postit të kryetarit e edhe ceremonia e betimit u bë në përputhje me ligjet e shtetit.
“Do të bashkëpunoj edhe me përfaqësuesit e misioneve me KFOR, me EULEX, OSBE me të gjitha institucionet në Prishtinë, MAPL-në dhe juve mediave. Duhet të kuptojmë që qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar te qytetarët. Kushdo që vjen këtu të mirëpritet… për të mirë të qytetarëve tanë”, ka thënë Dragisha Miloviq – Kryetar i Zveçanit.
Pasi përfundoi seanca inauguruese Miloviq u pyet se a do t’i respektojë ligjet e Kosovës por refuzoi të përgjigjet duke porositur se kjo do të kuptohet ditëve në vazhdim.
Megjithatë në Zveçan procedura e pranim-dorëzimit të detyrës, do të ndodh të hënën në orën 10:00.
TV Dukagjini merr vesh se arsye e shtyrjes së bartjes së detyrës erdhi pasi që dokumenti ishte vetëm në gjuhën shqipe e jo edhe serbe.
Edhe në Mitrovicën Veriore u respektua ligji e ishin të pranishme simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës por mungoi kryetari i deritanishëm, Ersden Atiq.
Gjatë seancës, një asamblist serb u përkujdes që të paktën para vetes ta ketë një simbol shtetëror.
Seanca nuk kaloi pa tensione.
“Në këtë moment, si kryesues, ndihem i rrezikuar dhe i pasigurt, sepse në këtë sallë, përveç nesh dhe gazetarëve, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të policisë. I kam pyetur kolegët shqiptarë nëse kanë frikë nga ne, nga serbët, dhe ata kanë thënë se jo”, ka thënë Marko Jakshiq – Asamblist i Iniciativës Qytetare Serbe.
“Sa i përket frikës jemi në shtëpinë tonë, në shtetin tonë nuk nevojë kemi për frikë, nuk e di kush është policë këtu e kush është civil”, ka thënë Ermir Azemi – Asamblist nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Nuk kemi nevojë për pyetje të tilla a frikësoheni apo nuk frikësohemi, ne jemi këtu për të konstituuar Kuvendin Komunal të Veriut, sa i përket policisë unë nuk po vërej policë në këtë sallë”, ka thënë Aida Ferati Doli – Asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje.
Një fjalim rasti erdhi edhe nga kryetari i ri.
“Besoj se së bashku do t’iu sjellim qytetarëve tanë prosperitet, do të mundësojmë një jetë normale dhe përsëri do të jemi krenarë për atë multietnicitet dhe bashkëjetesë që ekziston në komunën tonë”, ka thënë Milan Radojeviq – Kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore.
Në këtë komunë ka gjithsej 15 asamblistë, dy prej tyre shqiptarë.
Rikthimin e kryetarit të Listës Serbe në krye të komunës serbët lokalë nuk e lanë pa e festuar.
Në sheshin kryesor brohoritën emrin e Serbisë e valëvitën flamujt e saj.
Edhe në Leposaviq mungoi në seancë, kryetari e deritanishëm, Lulzim Hetemi.
“Në seancat e radhës do t’iu informoj edhe juve edhe qytetarët tanë për gjendjen që kemi gjetur në komunën tonë pas marrjes së detyrës si dhe planet e ardhshme sa i përket zhvillimit të komunës tonë”, ka thënë Zoran Todiq – Kryetar i Leposaviqit.
As në Zubin Potok nuk u thye tradita e re, por edhe aty pa kryetarin që qeveri mbi tri vite, Izmir Zeqirin.
“Unë si kryetar Millosh Peroviq deklaroj së do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin Potokut te sigurt dhe të qetë”, ka thënë Millosh Peroviq – Kryetar i Zubin Potokut.
Ngjashëm me Zveçanin as në Zubin Potok nuk ndodhi transferimi i pushteti në zyrën e kryetarit.
“…Atëherë ta shohim me siguri ditëve në vijim do të thërret sepse e kemi nevojë për pranim dorëzime të proces verbale dhe natyrisht ne jemi të gatshëm me gjithë ekipin tim të zhvillojmë ashtu siç kërkon protokolli. Unë e prita gjatë gjithë kohës isha në zyre…”, ka thënë Izmir Zeqiri – Ish-Kryetar u Zubin Potokut.
Në seancën inauguruese në Zubin Potok një asamblist ia dhuroi flamurin serbe kryetarit të ri, dhe edhe këtë gjest nuk e lëshoi pa e komentuar Zeqiri.
Ai tha se sa i përket ligjshmërisë së seancës do të vendos Ministria e Pushtetit Lokal, ndërsa për përdorimin e simboleve ekziston ligji dhe ai e lejon vetëm atë të Republikës së Kosovës.