Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, si dhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo shumicë kanë mbërritur në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Takimi po mbahet në Zyrën e Presidentes dhe ka nisur në orën 09:00.
Haxhiu i ka ftuar liderët e partive politike për një takim konsultativ, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën politike dhe zhbllokimin e institucioneve.
Në takim pritet të diskutohet mundësia e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Megjithatë, partitë opozitare kanë refuzuar pjesëmarrjen. Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se Haxhiu do të duhej t’i drejtohej kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e seancës konstituive, duke e cilësuar ftesën e saj si “manipulim të radhës”.
Edhe Aleanca ka refuzuar pjesëmarrjen. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka akuzuar Haxhiun dhe Kurtin se përmes këtij takimi po synojnë të gjejnë fajtorë për një vendim që, sipas tij, tashmë është marrë për ta çuar vendin në zgjedhje.
Në takim nuk do të marrë pjesë as Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka deklaruar se është e gatshme të takohet vetëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.