Pa telefona në shkolla, nxënësit të përgjegjshëm – gjobitën mësimdhënësit
Janë të fokusuar në libra e mësim dhe e kanë të pamundur ta humbasin vëmendjen nga ndonjë telefonatë a mesazh. Kjo për shkakun se telefonat mobilë nuk i kanë më me vete asnjë prej këtyre nxënësve të klasës së dhjetë në shkollën e mesme “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë. E enjtja ka qenë dita e parë […]
Janë të fokusuar në libra e mësim dhe e kanë të pamundur ta humbasin vëmendjen nga ndonjë telefonatë a mesazh.
Kjo për shkakun se telefonat mobilë nuk i kanë më me vete asnjë prej këtyre nxënësve të klasës së dhjetë në shkollën e mesme “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë.
E enjtja ka qenë dita e parë e implementimit të vendimit të kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi që ndalon përdorimin e telefonave në shkolla nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Dollapat që janë të destinuara për telefonat e nxënësve janë bosh sepse vendimin që ata të mos përdoren, e kanë bërë mëse të qartë këtë shkollë, duke u rekomanduar nxënësve që mos t’i marrin fare me vete.
E njëri që e ka marrë e ka pësuar, pasi telefoni i tij tash gjendet në zyrën e drejtorit Naim Raçi, dhe atë mund ta marrë vetëm prindi.
“Nëpër secilën klasë është lexuar, dhe të gjitha masat që janë vendosur nga kryetari ne jemi të gatshëm me i zbatu, sot e konfiskuam një telefon deri sa të vjen prindi me marrë, deri atëherë nuk e kthejmë telefonin”, ka deklaruar ai.
Ani pse ky vendim nuk u ka pëlqyer fort nxënësve, megjithatë thonë se po e respektojnë.
“Vendimet që i kanë marr na jemi tu i respektu, nuk e ka marr askush telefonin, deri sa te marrim vendimin për me i marr prapë. S’besoj që ka qenë vendim i duhur se na duhen telefonat në shkollë, por që ka qenë vendim i tyre dhe ne duhet ta respektojmë”, ka thënë Dria Sada, nxënëse.
“Jemi tu e respektu normal, por telefoni na duhet bile së paku në pushim të gjatë me marr, e tash jemi tu e respektu. Dollapat janë aty, me i vendos në dollapa dhe kaq”, ka thënë Shqiprim Kastrati, nxënës.
Ndërkohë drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu thotë se deri në mesditë kanë vizituar disa shkolla, dhe nga ajo që kanë hasur në terren, kanë vendosur për gjobitje të disa mësimdhënësve.
“Isha edhe vetë në terren në 7 shkolla, ishte një fat I mirë që nxënësit po e respektojnë në përpikëri, dhe më gëzoi ky fakt, por duhet të jemi shumë korrekt, ka raste kur mësimdhënësit nuk e kanë respektuar një gjë të tillë. Ne do të fillojmë me ndalesa dhe në koordinim me zyrtarin financiar, do të bëmë ndalesa në paga pë rata mësimdhënës”, ka thënë Fetahu.
Ky vendim në komunën e Podujevës vjen vetëm disa ditë pasi atje ndodhi rrahja brutale e një 18-vjeçari nga dy nxënës të shkollave të mesme, që përfundoi me fatalitet.















