I ka lënë të gjitha pas por me vete po merr flamurin e Serbisë nga objekti i Postës paralele në Graçanicë, të cilën institucionet e Kosovës e konsiderojnë ilegale.

Pos tij, sot janë mbyllur edhe 27 objekte tjera paralele, institucione të ndryshme të Serbisë që kanë funksionuar brenda territorit të shtetit.

“Policia erdhi për të mbyllur postën, duke thënë se është gjë e përkohshme derisa të aplikojmë për licencë. Por mua këtu asgjë s’më duket e përkohshme as qëllimi i përkohshëm. Këtë e di Kurti por s’ka nevojë para zgjedhjeve të bëj filma”, ka thënë Ivan Mollojeviq  – Drejtor i Postës së Serbisë në Graçanicë.

Për këtë aksion herët në mëngjes njoftoi edhe ministri i Brendshëm.

“Nga sot kapitulli i institucioneve paralele, kriminale, ilegale të Serbisë në Rep.e Kosovës mbyllet. Në Banjë e në të gjitha pjesë të tjera të Republikës së Kosovës”, ka thënë Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme.

Por, në këtë aksion doli që Policia e Kosovës ka vepruar pa autorizim të Prokurorisë, që u konfirmua nga kjo e fundit.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale meqenëse Policia nuk kërkoi me shkrim autorizim dhe as nuk ofroi prova për dyshimin e bazuar se në këto objekte kryhet ndonjë vepër penale.

“Prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë” – Prokuroria Themelore.

Pavarësisht kësaj, Policia tash po vazhdoj t’i ruaj këto objekte.

“Një ndër objektet që ka mbyllur Policia e Kosovës është edhe komuna paralele e Obiliqit dhe Posta e Serbisë në Obiliq e cila kishte funksionuar në shtëpinë prapa meje në dy kate, njëra në katin e parë e tjetra në katin e dytë”.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar duke thënë se veprime të tilla ndaj komuniteteve minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën”, thuhet në reagimin e Ambasadës.