Pacolli njofton se Kenia ka njohur zyrtarisht Kosovën

Republika e Kenias ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Të paktën kështu ka bërë të ditur kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, i cili ka theksuar se ky moment është rezultat i një pune të gjatë dhe përpjekjeve të pandërprera për të siguruar mbështetjen e shtetit afrikan.

Pacolli ka shtuar se presidenti i Kenias, William Ruto, e ka mbajtur premtimin e dhënë në vitin 2016, duke e njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur.

Postimi i plotë i Pacollit:

NAIROBI 26 mars 2025

Sot, Kosova shkruan histori!

17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!

Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të!

Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet.

Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016.

Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia!

Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare!

I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore.

Dua te shpreh falenderimin për bashkëpunëtorin tim të ngushtë, Jetlir Zyberaj i cili ka qenë në mënyrë permanente syri dhe veshi im jo vetëm në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.

Një falënderim të veçantë dua t’i shpreh edhe Shqipërisë, presidentit Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët më kanë dhënë mbështetje shtetërore.

Kjo është dita kur Kosova u pa, u dëgjua dhe u pranua. Kjo është dita kur populli ynë duhet të ndiejë krenarinë e një fitoreje që nuk ka çmim – njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë.

Faleminderit Kenia! Faleminderit President Ruto! Lavdi Kosovës dhe qytetarëve të saj krenarë!

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika