Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, ka deklaruar se liberalizimi i vizave nuk do të anulohet për qytetarët e Kosovës.

Ai në emisionin “Five”, të RTV Dukagjinit tha se me një janar qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë.

“Nuk besoj se do të ketë rrezik të anulohen vizat, regjimi i vizave do të bjerë më një janar, qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm”, ka thënë ai.

Duke i komentuar deklaratat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për vizat, Pacolli tha se si shtet duhet të jemi më seriozë.

“Nëse ai ka hyrë në temë, e ka thënë atë, krejt kjo ka një domethënie, që ne në Kosovë duhet të jemi më seriozë. Një lider që udhëheq me një popull që konsideroj janë mbi 1 milion e 800 mijë, duhet të jetë serioz… nuk guxon ta dëmtojë qytetarin e Kosovës”, tha ai.

Pacolli theksoi se Franca është një nga shtetet më me ndikim në Bashkimin Evropian dhe si e tillë duhet të merret seriozisht nga shteti i Kosovës.

“Do të thoja se është numër një në komunitetin e shteteve evropiane, është një nga shtetet më të forta, nuk ka dikush që e kundërshton një vendim që Franca dëshiron ta marrë për diçka. Gjermania është aleat jashtëzakonisht i fortë i Francës, nëse një president i Francës thotë diçka, i gjithë BE-ja ndoshta ndonjë shtet kundërshton, por shumica nuk e kundërshton”, tha ai.

Ai foli edhe për Asociacionin, për të cilin, tha se kryeministri Albin Kurti ka premtuar që do ta formojë. Sipas tij, “hidhërimi” i Francës ka të bëjë me po këtë premtim të Kurtit, të cilin ai nuk e ka mbajtur.