Pacolli: Radojçiqin e kam takuar në Qeverinë e Kosovës me ish-kryeministrin
Behxhet Pacolli, kryetar i AKR-së, ka thënë se fotoja e cila qarkullon në rrjete sociale ku shihet ai në prezencë me Millan Radojçiqin, ka qenë e rastësishme. Ai në “Five” tha se Radojçiq kishte ardhur dhe kishte ndenjur dy apo tre minuta me të, por pa e njohur se kush është. “Nuk kam asnjë bindje, […]
Behxhet Pacolli, kryetar i AKR-së, ka thënë se fotoja e cila qarkullon në rrjete sociale ku shihet ai në prezencë me Millan Radojçiqin, ka qenë e rastësishme.
Ai në “Five” tha se Radojçiq kishte ardhur dhe kishte ndenjur dy apo tre minuta me të, por pa e njohur se kush është.
“Nuk kam asnjë bindje, nuk e kam njohur, rastësisht ka ardhur në një moment ku kam biseduar me ish-deputetët e Kosovës, me ish-kryetarin e Mitrovicës. Ka ardhur ai më ka përshëndet, 2 apo tre minuta kam ndejtur dhe kam shkuar. Nuk e kam ditur kush është ai. Rastësisht më 2019 kam dëgjuar për të. U paraqit një foto e imja, pastaj edhe një fotomontazh kinse është edhe Vuciqi”, tha ai.
Tutje, Pacolli tha se Radojçiqin e ka takuar në hapësirat e Qeverisë së Kosovës së bashku me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Radojciqin e kam takuar në hapësirat e Qeverisë së Kosovës, me ish-kryeministrin, ka ardhur në zyre të kryeministrin. Kam qenë edhe unë aty, edhe dikush tjetër, kemi biseduar. Jam i lumtur që nuk ka ardhur ndonjë kriminel dhe më ka dhënë dorën. Radojçiqin e kam njoft kur ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, si e tillë as kryeministri Haradinaj nuk ka pasur arsye të mos e takoj atë, as unë nuk kam pasur arsye të mos jem aty”, tha ai.















